Rrëfimi i Besimit
Rrëfimi i besimit i kishës “Dritë” është një deklaratë që pasqyron atë që besojmë dhe për të cilën qëndrojmë si kishë. Ajo shpreh bindjet tona të përbashkëta, të rrënjosura në Shkrimin e Shenjtë dhe të përqendruara te Krishti, duke na udhëhequr se si jetojmë, adhurojmë dhe shërbejmë së bashku në besim dhe unitet.
I. Fjala e Perëndisë
Ne besojmë që Bibla është Fjala e Perëndisë, plotësisht e frymëzuar dhe pa gabime në dorëshkrimet origjinale, e shkruar nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, dhe që ajo është autoriteti suprem në të gjitha çështjet e besimit dhe të sjelljes.
II Timoteut 3:16; II e Pjetrit 1:20–21; Marku 13:31; Gjoni 8:31–32; Gjoni 20:31; Veprat e Apostujve 20:32
II. Trinia
Ne besojmë që ka një Perëndi të gjallë dhe të vërtetë, i cili ekziston përjetësisht në tre Persona; të barabartë në çdo përsosmëri hyjnore, të cilët ushtrojnë role të dallueshme por të harmonizuara në veprën e krijimit, të provanisë dhe të shpengimit.
Zanafilla 1:1, 26; Gjoni 1:1, 3; Mateu 28:19; Gjoni 4:24; Romakëve 1:19–20; Efesianëve 4:5–6
III. Perëndia Atë
Ne besojmë në Perëndinë Atë, një frymë personal dhe i pafundëm, i përsosur në shenjtëri, urtësi, fuqi dhe dashuri. Ne besojmë se Ai, në mënyrë të pagabueshme, e njeh që më parë gjithçka që ndodh, dhe në mëshirën e tij, përfshihet në punët e njerëzve. Ne besojmë se Ai i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve dhe se Ai i shpëton nga mëkati dhe nga vdekja të gjithë ata që vijnë tek Ai përmes Jezu Krishtit.
Luka 10:21–22; Mateu 23:9; Gjoni 3:16; Gjoni 6:27; Romakëve 1:7; I Timoteut 1:1–2 dhe 2:5–6; I e Pjetrit 1:3; Zbulesa 1:6
IV. Jezu Krishti
Ne besojmë në Jezu Krishtin, Birin e vetëmlindur të Perëndisë, i cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë. Ne besojmë në lindjen e Tij të virgjër, në jetën e tij të pamëkatë, në mrekullitë dhe në mësimet e tij. Ne besojmë në vdekjen e Tij shlyese dhe zëvendësuese, në ringjalljen e Tij trupore, në ngjitjen e Tij në qiell, në ndërmjetësimin e Tij të vazhdueshëm për popullin e Tij, si dhe në kthimin e Tij personal dhe të dukshëm në tokë.
Mateu 1:18–25; Luka 1:26–38; Gjoni 1:1; Gjoni 20:28; Romakëve 9:5; Romakëve 8:32; II Korintasve 5:21; I e Pjetrit 2:21–23; Gjoni 20:30–31; Mateu 20:28; Efesianëve 1:4;Veprat e Apostujve 1:11; Romakëve 5:6–8; Romakëve 6:9–10; Hebrenjve 7:25; Hebrenjve 9:28; I Timoteut 3:16
V. Fryma e Shenjtë
Ne besojmë në Frymën e Shenjtë i cili erdhi nga Ati dhe Biri për ta bindur botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim, si dhe për të rilindur, për të shenjtëruar dhe për të fuqizuar të gjithë ata që besojnë në Jezu Krishtin. Ne besojmë se Fryma e Shenjtë banon brenda çdo besimtari në Krishtin, dhe që Ai është një përkrahës, mësues dhe udhëheqës i përhershëm.
Gjoni 14:16–17, 26; Gjoni 15:26–27; Gjoni 16:9–14; Romakëve 8:9; I Korintasve 3:16; I Korintasve 6:19; Galatasve 5:22–26
VI. Rilindja
Ne besojmë që njeriu u krijua nga Perëndia në shëmbëllimin e Tij; që ai mëkatoi dhe kështu pësoi vdekje fizike, frymërore dhe të përjetshme, e cila është ndarje nga Perëndia; që si pasojë e kësaj, të gjithë njerëzit lindin me një natyrë mëkatare dhe janë mëkatarë me zgjedhjet e tyre dhe si rrjedhim gjenden nën dënim. Ne besojmë se ata që pendohen dhe e braktisin mëkatin dhe i besojnë Jezu Krishtit si Shpëtimtar, rilinden nga Fryma e Shenjtë dhe bëhen krijesa të reja, të çliruara nga dënimi dhe marrin jetën e përjetshme.
Zanafilla 1:26; 5:2; Zanafilla 3; 2:17 dhe 3:19; Predikuesi 2:11; Gjoni 3:14; Gjoni 5:24; Gjoni 5:30; 7:13; 8:12 dhe 10:26; Romakëve 9:22; II Selanikasve 1:9; Zbulesa 19:3, 20; 20:10; 14–15 dhe 21:18; Psalmi 51:7; Jeremia 17:9; Jakobi 1:14; Romakëve 3:19 dhe 5:19; Fjalët e Urta 28:13; I e Gjonit 1:9; Gjoni 1:13 dhe 3:16; II Korintasve 5:17; Romakëve 8:1
VII. Kisha
Ne besojmë në kishën e përbotshme, një trup i gjallë frymëror, kreu i të cilit është Krishti dhe anëtarë të të cilit janë të gjithë njerëzit e rilindur. Ne besojmë në kishën lokale, e cila përbëhet nga një shoqëri besimtarësh në Jezu Krishtin, të cilët janë pagëzuar mbi bazën e një rrëfimi të besueshëm të besimit të tyre, dhe që mblidhen për adhurim, shërbim dhe përbashkësi. Ne besojmë që Perëndia u ka caktuar anëtarëve të kishës lokale detyrën parësore të çuarjes së ungjillit të Jezu Krishtit një bote të humbur.
Efesianëve 2:19–22; Veprat e Apostujve 1:8; Efesianëve 5:19–21; Veprat e Apostujve 2:42; Hebrenjve 10:23–25
VIII. Sjellja e krishterë
Ne besojmë që një i krishterë duhet të jetojë për lavdinë e Perëndisë, si dhe për mirëqenien e njerëzve të tjerë; kjo sjellje duhet të jetë e paqortueshme përpara botës. I krishteri duhet të jetë një administrator besnik i zotërimeve të tij; dhe që duhet të përpiqet ta arrijë për veten e tij dhe për të tjerët masën e plotë të pjekurisë në Krishtin.
I Korintasve 10:31; Romakëve 12:1–3; Hebrenjve 12:1–2; Gjoni 14:15; 23–24; I e Gjonit 2:3–6; II Korintasve 9:6–9; I Korintasve 4:2; Kolosianëve 1:9–10
IX. Porositë – Sakramentet
Ne besojmë që Zoti Jezu Krisht i ka lënë kishës lokale dy porosi, pagë zimin dhe Darkën e Zotit. Ne besojmë se pagëzimi i krishterë është zhytja e besimtarit në ujë në emrin e Perëndisë triun. Ne besojmë se Darka e Zotit u themelua nga Krishti për të përkujtuar vdekjen e Tij. Ne besojmë që këto dy porosi duhet të zbatohen dhe të kryhen deri në kthimin e Zotit Jezu Krisht.
Mateu 28:18–20; Romakëve 6:3–5; I Korintasve 11:23–26
X. Gjërat e fundit
Ne besojmë në kthimin personal dhe të dukshëm të Zotit Jezu Krisht në tokë dhe në ripërtëritjen e të gjitha gjërave. Ne besojmë në ringjalljen e trupit, në gjykimin e fundit, në lumturinë e përjetshme të të drejtëve dhe në vuajtjen e pafundme të të ligjve.
Mateu 16:27; Marku 14:62; Gjoni 14:3; Veprat e Apostujve 1:11; Filipianëve 3:20; I Selanikasve 4:15; II Timoteut 4:1; Titit 2:13; I Korintasve 4:5; I Korintasve 15; II Selanikasve 1:7–10; Zbulesa 20:4–6; 11–15