Besëlidhja e Kishës
1. Siç edhe besojmë, duke qenë se hiri hyjnor na ka sjellë në pendim, që të besojmë në Jezu Krishtin dhe t’ia dorëzojmë veten tonë atij, dhe pasi kemi rrëfyer besimin tonë dhe jemi pagëzuar në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë, tani, duke u mbështetur në ndihmën e Tij të hirshme, e përtërijmë solemnisht dhe gjithë gëzim besëlidhjen tonë me njëri tjetrin.
(Gjoni 6:63; 16:7–11; 1:12; I Selanikasve 2:13; Veprat e Apostujve 2:41; 8:38; Mateu 28:19; I Korintasve 12:12–13; Veprat e Apostujve 2:42)
2. Ne do të punojmë dhe do të lutemi për unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
(Efesianëve 4:1–3)
3. Ne do të ecim bashkë në dashuri vëllazërore, siç u ka hije anëtarëve të një kishe të krishterë, duke ushtruar kujdes të dashur dhe vigjilencë mbi jetën e njëri tjetrit dhe me besnikëri ta këshillojmë dhe ta nxitim njëri tjetrin sipas nevojës së rastit.
(Romakëve 12:10; 16:17–18; Galatasve 6:1–2; Mateu 18:15–17; Jakobi 5:19–20; Kolosianëve 3:16; Hebrenjve 3:12–13; I Selanikasve 5:11; I Korintasve 5)
4. Ne nuk do ta lëmë pas dore të mbledhurit tonë bashkë, as nuk do ta shpërfillim lutjen për veten tonë dhe për të tjerët.
(Hebrenjve 10:23 25; Efesianëve 6:18; I Selanikasve 5:17, 25)
5. Ne do të përpiqemi që t’i trajnojmë ata që mund të jenë nën kujdesin tonë në frikën dhe këshillën e Zotit, dhe përmes një shembulli të dëlirë dhe të dashur do të përpiqemi të kërkojmë shpëtimin e familjes dhe të miqve tanë.
(Ligji i Përtërirë 6:1–12; 11:18–20; Mateu 6:6; Efesianëve 6:4; Marku 5:19; Luka 5:19; Mateu 5:16; Efesianëve 5:15)
6. Ne do të ngazëllojmë në lumturinë e njëri tjetrit dhe do të përpiqemi që me butësi dhe dhembshuri të mbajmë barrët dhe pikëllimet e njëri tjetrit.
(Romakëve 12:15; Galatasve 6:2)
7. Ne do të përpiqemi që, me ndihmën e Zotit, të jetojmë me kujdes në botë, duke mohuar paudhësinë dhe lakmitë e botës, dhe duke kujtuar që, sikurse jemi varrosur vullnetarisht me anë të pagëzimit dhe në mënyrë simbolike jemi ngritur sërish nga varri, tani e kemi për detyrim që të jetojmë një jetë të re dhe të shenjtë.
(Efesianëve 5:15; Titit 2:12; Romakëve 6:4; I Selanikasve 4:7; I Pjetrit 1:13–25)
8. Ne do të punojmë së bashku për vazhdimësinë e një shërbese besnike ungjillore në këtë kishë, ndërsa e mbështesim adhurimin, porositë, disiplinën dhe doktrinat e kësaj kishe. Ne do të kontribuojmë me gëzim dhe rregullisht në mbështetjen e shërbesës, në shpenzimet e kishës sonë, në lehtësimin e të varfërve, në përhapjen e Ungjillit në të gjitha kombet.
(Efesianëve 2:21–22; Hebrenjve 10:25; Mateu 28:19–20; I Korintasve 11:24–34; Romakëve 16:17; II Selanikasve 3:6; I Korintasve 5; Veprat e Apostujve 2:42; II e Gjonit 1:9–11; Mateu 10:10; Galatasve 6:6; Malakia 3:8–10; Veprat e Apostujve 11:29; II Korintasve 8:1–5, Luka 24:46–48; Veprat e Apostujve 1:8)
9. Nëse ndodh që të zhvendosemi në një vend tjetër, ne zotohemi që, sa më shpejt që të jetë e mundur, do të bashkohemi me një kishë ku mund të vazhdojmë të jetojmë sipas frymës së kësaj besëlidhjeje dhe sipas parimeve të Fjalës së Perëndisë.
(Veprat e Apostujve 18:27–28; Romakëve 16:1–2; I Korintasve 15:58; Kolosianëve 3:23; Hebrenjve 10:24–25)
Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me të gjithë ju. Amen.
(II Korintasve 13:14)